
Tirana po zhvillon në Turqi fazën përgatitore, në prag të ndeshjes në turin e parë të Champions League përballë Dudelange. Bardheblutë kanë zhvilluar 3 takime miqësore, ku kanë dalë me 1 humbje, fitore dhe barazim, ndërsa u ka mbetur për t’u luajtur dhe takimi i nesërm përballë Fenerbahçes.
Për RTSh ka folur trajneri i bardhebluve Orges Shehi. Tekniku kampion tregon se është i kënaqur me lojtarët, por flet për nevojën e përforcimeve. Pasi lojtarë si Hoxhallari dhe Toli që janë larguar, nuk janë zëvendësuar.
Tekniku i Tiranës më pas flet dhe për transferimin e mundshëm të Seferit dhe sfidën e Champions League kundër Dudelange. Shehi tregon se është i fortë, pavarësisht çfarë flitet. Më poshtë mund të lexoni fjalën e tij.
“Sigurisht që fokusi është tek ngarkesa fizike, por kur kjo merret me ndeshje përballë kundërshtarëve të niveleve të mira, kjo besoj se na shërben. Jemi të kënaqur me atë që po japin lojtarët dhe kjo besoj se nga dita në ditë do na shërbejë akoma më shumë, pa harruar që kemi dhe një ndeshje tjetër të shtunën, pastaj do të kthehemi në Shqipëri dhe shumë pak ditë na ndajnë nga ndeshja e Champions”.
Akoma nuk kemi plotësuar vendin që ka lënë Hoxhallari. Na ka dalë dhe një problem me Tolin, që nuk dihet se si do të zgjidhet, po e prisnim që të ishte këtu, pjesë e jona. Kështu na shtohet dhe një mungesë tjetër. Ato që kemi patur në qendër të merkatos, edhe për disa gjëra të vogla, nuk është arritur që të konkretizohen. Do të vazhdojmë të jemi në merkato, sepse na duhen dy-tre lojtarë për të siguruar të gjithë pozicionet ku kemi nevojë.
Në rrugëtimin tonë në Europë, ku ne duam të zgjasë sa më shumë, është e sigurtë që Taulanti është me ne. Do vazhdojë të luajë po me atë përqëndrim, sepse fokusi i tij është tek e tashmja, tek skuadra, pastaj të gjithë së bashku do të vendosim se çfarë na afrohet, çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim, nga vlerat e një lojtari të tillë por dhe nga të ardhurat që do të sjellë në klub.
Dudenlange është një skuadër e fortë, pavarësisht se flitet se është një kundërshtar i lehtë. Do të gabojmë nëse do të mendojmë se është një kundërshtar i lehtë, ka qënë dy herë në grupet e Europa League. Duke parë shortin, skuadrat që ishin, kjo është më pak e forta, por nuk do të thotë se nuk është e fortë. Do të jetë një gabim i madh nëse do mendojmë për turin e dytë. Nuk kemi luksin të neglizhojmë asnjë kundërshtarë. Në Champions janë të gjithë të fortë, jo më kot e ka koefiçentin 8, pra bën pjesë në vazon e parë. Gjithsesi, ne nuk do të futemi në fushë me idenë se ne jemi inferiorë dhe ata janë superiorë. Në psikologjinë tonë është që futbolli luhet 11 me 11 dhe do të tentojmë me të gjitha forcat që të kalojmë turin”, u shpreh Shehi.