
Kukësi po kalon sezonin më të vështirë në 10 vitet e fundit. Pavarësisht kësaj, verilindorët kanë treguar karakter në 3 ndeshjet e fundit. Kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Partizanit dhe dy fitore radhazi në kampionat me Laçin dhe Vllazninë, bëjnë të shihet dritë në fund të tunelit.
Sezoni mund të shpëtohet, ndërsa mbijetesa është 6 pikë larg. Verilindorët dhanë sinjale se nuk kanë ndërmend të dorëzohen, pasi mposhtën Vllazninë që nuk pësonte asnjë humbje në vitin 2024.
Rivalët e Kukësit aktualisht shihen Erzeni, Teuta dhe Laçi. Të treja këto skuadra që njihen për shpirtin e garës. Pak më shumë se 2 muaj kanë mbetur nga fundi i sezonit dhe Kukësi është në garë për dy fronte.
Dhe pse duket e vështirë, përderisa matematika e lejon nuk është e pamundur. Takimi i radhës është më 30 mars në transfertën e Rrogozinës kundër Egnatias.