
Drita ka mposhtur 4-0 sot Dukagjinin, për sfidën e fundit të javës së 16-të në Kosovë. Dueli i Superligës është diktuar nga vendasit, që kanë kaluar në avantazh pas nëntë minutash me Mujën. Sërish Muja në të dytën do gjente golin e qetësisë, teksa Blakcori në 84 dhe Tahiri në 90+2 do vendosnin gjithçka.
Pas kësaj jave, Drita mban vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se kryesuesit e Ballkanit. Në këtë sfidë ka pasur edhe një karton të kuq për miqtë e drejtuar nga Armend Dallku. Trajneri ka reaguar keq pas ndeshjes së humbur, teksa ka kërkuar më shumë vëmendje pasi ndihen të dëmtuar nga gjykimi.
"Në vend që ne të luajmë me një lojtar më shumë, vjen momenti që ne të luajmë me një lojtar më pak. Ishte kartoni i dytë për kundërshtarin, kurse gjyqtarët as nuk marrin guxim ta shikojnë VAR-in. Në momentin e parë neve na ndëshkojnë. Kjo organizatë që i dërgon gjyqtarët këtu duhen të jenë më e besueshme.
Kemi gjashtë kartonë të kuq, kemi gjashtë penallti kundër dhe asnjë penallti për Dukagjinin. Jemi ekipi më i dëmtuar në të gjitha sferat sa i përket lojës së futbollit. Nuk po kërkojmë asgjë me na fal, vetëm korrektësi", tha Armend Dallku, ish-futbollist i Kombëtares shqiptare.