
Krerët dhe anëtarët e Shumësportëshit në Berat kanë pasur dje një takim me ish-deputetin Nasip Naço, njëkohësisht sekretari politik për LSInë, në Qarkun e Beratit.
Në këtë takim, ai është përballur me një numër të lartë ankesash nga ana e pjesëtarëve që përfaqësonin shumësportëshin në qytetin e Beratit, probleme që janë mbartur ndër vite. Trajnerët e Mundjes, Boksit, Shahut, Pingpongut, Peshëngritjes, Qitjes, Karatesë etj kanë sjellë në vëmendje arritjet e sportistëve, ndërsa janë ankuar se nuk kanë as kushtet më minimale për t'u stërvitur, madje mungon edhe trajtimi i duhur financiar. "Kemi sjellë me qindra medalje të arit, argjendit dhe bronzit, qindra diploma, e certifikata, kemi zënë vende të para, të dyta e të treta në grup, si skuadër dhe si individ, të marra në aktivitete të ndryshme lokale, Rajonale, Kombëtare, Ndërkombëtare, Ballkanike dhe Botërore.
Kemi kursyer nga paratë tona për të marrë pjesë dhe për ta përfaqësuar me dinjitet klubin, qytetin dhe vendin tonë. Por, jemi ende pa trajtim ushqimor, pa ambiente dhe materiale stërvitore, uniforma të klubeve dhe kombëtare. Stërvitemi në ambiente skandaloze, në dhoma dy me dy. Te mundja, 8 sportistë marrin 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa një vit më parë nuk kishim fare", janë shprehur trajnerët e sporteve të ndryshme që ushtrohen në qytetin e Beratit.
NASIP NAÇO- Ndërkohë, në fjalën e tij, Nasip Naço i ka përgëzuar për arritjet e deritanishme trajnerët dhe sportistët, të cilët i kishte mbledhur enkas në këtë takim.
Mes të tjerash, sekretari politik për LSInë, në Qarkun e Beratit deklaroi: “Sigurisht që shqetësohem kur dëgjoj vuajtjet tuaja për vite më radhë. Më kërkuat këtë takim dhe jam këtu për të diskutuar mbi të gjitha problematikat që ju shqetësojnë. Si skuadër apo dhe si individ keni arritur rezultate të shkëlqyera dhe keni marrë si shpërblim vetëm keqtrajtimin. Ndër vite, sportistët janë lënë si dora e dytë deri te pamundësia e gjetjes së një pune për sportistët që kanë mbaruar Universitetin.
Nuk dua të them se do të bëj mrekulli. Nuk jam këtu që t’ju premtoj gjëra boshe, apo të bëj show politik, se do të ndërtoj Pallat Sporti, liqen e Ishull në Osum, as edhe Tunel e ku di unë ca përralla të tjera. Por e them me bindje, se sa herë që të keni nevojë për ndihmë, për problemet sportive do të isha shumë i kënaqur që të më rreshtonit në krahun tuaj për t’ju ndihmuar me sa mundësi të kem. Do t’iu drejtohem shumë donatorëve me dokumente në dorë për çdo lloj eventi sportiv dhe për çdo pjesëmarrje në kampionate ndërkombëtare, për të siguruar për pagesën në stërvitje deri te shpenzimet deri në kthim me fitore", u shpreh Nasip Naço.