Data 9 mars 2021 do jetë shumë e veçantë për futbollin shkodran. Vllaznia do marrë përgjigje finale për procesin e privatizimit, me ankandin dhe ofertat që do hapen në atë datë. Në lidhje me këtë proces, Bashkia Shkodër ka kohë që ka hapur garën me ofertuesit, për çmimin dysheme prej gati 510 milion lekë të vjetër.
Në lidhje me dokumentacionin e tenderit, ish-presidenti Valter Fushaj që kërkon të marrë aksionet e klubit, dorëzoi dje një ankesë zyrtare në Bashkinë Shkodër që është pronarja e klubit, duke kërkuar anullimin e tij me preteksin se pikat e përcaktuara janë diskriminuese dhe favorizojnë elementë të veçantë.
Newsport.al po ju sjell dokumentet përkatëse dhe standarde të Ankandit Publik, në të cilat parashikohen të gjitha kriteret për personin apo personat që duan të jenë bashkëpronarë në aksionet e klubit të futbollit. Një ndër to, në pikën "u" flitet dhe për njohjen e sponsorizimeve të dokumentuara më herët në klubin e futbollit dhe në sportin shkodran.
"Sponsorizime të ngjashme në një vlerë prej 20,317,600 lekë (40 përqind e vlerës fillestare të ankandit) të realiziuara. Çdo sponsorizim rregullohet me kontratë lidhur nëpërmjet sponsorizuesit dhe përfituesit. Sponsorizimet në favor të sporteve ekipore më të përhapaura, të destinuara për:
1.evidentimin e talenteve dhe zhvillimin e sportistëve të rinj
2.mbulimin e shpenzimeve të stafit sportiv
3.zhvillimin dhe përmirësimin e infrastruktuës sportive etj.
Janë këto disa nga pikat që zoti Valter Fushaj hedh dyshime për diskriminim dhe favorizim të elementëve të caktuar në garën për të marrë drejtimin e klubit të futbollit Vllaznia, nga Bashkia Shkodër; duke kërkuar anullimin e garës.


