
Ndeshja e sotme mes Erzenit dhe Kukësit do të mbyllë javën e 8 të Abissnet Superiore. E programuar të luhej fillimisht të premten, sfida u shty për ditën e sotme pas virozës në klubin e Kukësit. Shijakasit do të kërkojnë 3 pikët në Niko Dovana por edhe një barazim do të jetë komod për ta teksa janë të vetëm në vendin e tretë me 12 pikë ndërsa Kukësi në vendin e 8 me 8 pikë synon fitoren për katapultimin në renditje.
Te Kukësi pritet me orë në dorë sfida për të parë gjendjen përfundimtare të lojtarëve nëse do të jenë në formë optimale apo jo. Zivkovic do të mungojë prej virozës poashtu edhe Gyasi por ky i fundit është i dëmtuar kështu që trajneri Dobi pritet të startojë me Edi Basa që duket se fiton balotazhin me Ergys Peposhin.
Ndërkohë, vëllai i madh i Ergysit, Arditi, ka lënë pas dëmtiin dhe do të jetë titullar në ndeshjen e sotme për Erzenin.
Formacionet e mundshme:
Erzeni (4-3-3): Xhika; Iljazi, Krasniqi, Sadiki, Peposhi; Mehmeti, Kahrimanovic, Alan; Ademi, Nonato, Kadriu. Trajner: Xhevahir Kapllani
Kukësi (3-4-3): Tafas; Ilieski, Ferreira, Ebert; Haxhiu, Sh. Taipi, Gj. Taipi, Ndreca; Berisha, Barbosa, Basa. Trajner: Enkeleid Dobi.