
Renato Malota largohet nga Vllaznia. Qendërmbrojtësi lezhian i ka dhënë fund aventurës me shkodranët dhe lajmin e ka bërë të ditur vetë në rrjetet sociale.
Ai falënderon drejtuesit për mundësinë e dhënë, shokët e skuadrës me të cilët punoi dhe në fund e mbyll me tifozët e zjarrtë kuqeblu. Në postimin e tij në rrjetet sociale, shtatlarti i prapavijës shkruante:
"Përshëndetje të gjithëve. Nga sot nuk do jem më pjesë e Vllaznisë. Ndihem mirë që në momentet më të vështira nuk e braktisa kurrë Vllazninë dhe pse ofertat s'më kanë munguar asnjëherë. Dua të falënderoj kryetaren e Bashkisë së Shkodrës për respektin që më ka dhënë.
Gjithashtu administratorin Lici që ka qenë korrekt dhe transparent me ne lojtarët dhe në fund dua t'bëj një falënderim për tifozët shkodranë që më kanë bërë të ndihem si të isha një djale Shkodrë. Këtu mbyllet aventura ime me Vllazninë. Ju uroj shumë suksese dhe gjithmonë do të keni një vend të veçantë në zemrën time", shkruan Malota në rrjetet sociale.
Kujtojmë që 31-vjeçari ishte pjesë e shkodranëve prej 3 sezonesh ku arriti të realizonte 5 gola. Cilësitë e treguara në qendër të mbrojtjes e shndërruan atë në një nga lojtarët më të vlefshëm të Superligës. Megjithatë në sezonin e fundit, problemet personale s'e lanë të shfaqte atë që dinte të bënte më së miri në fushën e blertë.