
Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet për javën e 15-të të Superiores. Organi i drejtësisë sportive në FSHF ka dënuar trajnerin e Bylisit, Velkjo Dovedan, si dhe ka gjobitur ballshiotët me 1 milionë lekë të vjetër.
Ndërkohë edhe klubi i Partizanit s'ia ka hedhur paq teksa është gjobitur me 2 milionë lekë gjobë për numrin e të pranishmëve në "Elbasan Arena". Gjithashtu theksohet se klubi i kuq duhet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes. Në njoftimin për mediet bëhej me dije:
"1. Zyrtari i KF Bylis, Veljko Dovedan, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
2. KF Bylis, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
3. FK Partizani, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin "Elbasan Arena" sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
FK Partizani, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të mosvendosjes së stemave në fanellat e lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
4. Rrëzimin e kërkesës së Tirana - AS Femra, në lidhje me lojtaren Anisa Kotarja, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive".