Luiza Gega u rendit e 48-a në stilin 3000 metër me pengesa në Lojërat olimpike "Rio 2016", ndërsa kjo gjë ka irrituar pa masë moderatorin e njohur sportiv, Gerti Çarçani. Ky i fundit në faqen e tij në "facebook" ka deklaruar se kjo është diçka e turpshme, ndërsa presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, duhet që të japë dorëheqjen pas këtij prezantimi të padenjë në Rio. Duke përfshirë të gjitha detajet, moderatori i "Ora Skaner" ka thënë:
"Me mbylljen e Luizës në Rio, ka gjasa (në mos kanë ende bonuse të bëjnë Check-Out-in e dhomës edhe pas një jave) të marre fund edhe turizmi olimpik për krerët e atjeshëm, Presidentin dhe Sekretarin e Pergjithshëm".
"Komuniteti Sportiv duhet me emergjencë të kërkojë Dorëheqjen e menjëhershme të Presidentit dhe largimin e Sekretarit të Përgjithshëm të KOKSH nga postet që mbajnë ende. Minimalisht Presidenti duhet t'i kërkojë BESIMIN edhe një herë Asamblesë. Nuk jam unë ai që e vendos, apo e përcaktoj këtë, por llumi i mish-masheve në zyrën turistike olimpike, paaftësia administrative deri në ngatërrimin e një kohe në regjistrim, akuzat e sportistëve, mbyllja në dhomë e trajnerit, mbetja pa uniformë e sportistes, sherri për prezencën në ceremoninë e hapjes, dhe mbi të gjitha krenaria e tyre me medaljen e djersës së një sportisteje tjetër, apo edhe mbyllja e dyerve të Asamblesë për Mediat, si edhe shumë xhevahire të tjera imponojnë një RESTART olimpik. Askush nuk e ka me askënd personale, por shfaqja e RIO-s për shqiptarët prodhoi një nivel qesharak në të cilin ka rënë Komiteti Olimpik".
[caption id="attachment_26123" align="aligncenter" width="504"] Postimi i Çarçanit në "facebook"[/caption]