Franca dhe Anglia do të përplasin “brirët” në finalen e parakohshme të Kupës së Botës, takim që do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 20:00. Një sfidë e cila do të jetë një luftë e vërtetë, pasi të dy kombëtaret kërkojnë biletën e fundit për në gjysmëfinalen e këtij turneu.
Për të folur për këtë duel, në konferencën për shtyp trajneri Didier Deschamps ka theksuar se do të jetë një përballje e vështirë, ndërsa nënvizoi se Mbappe do të bëjë diferencën.
"Sa më tej të shkosh, aq më shumë përmirësohet cilësia. Është e mrekullueshme të luash në një çerekfinale në Kupën e Botës. Unë mendoj se Anglia do të marrë masa paraprake, siç kanë bërë katër kundërshtarët tanë të mëparshëm. Kylian ka këtë aftësi për të bërë diferencën. Në ndeshjen e fundit, ku ai nuk ishte në formën e tij më të mirë krahasuar me dy të parat, ishte vendimtar në çdo rast. Ne duhet të shpërndajmë rrezikun në mënyrë që kundërshtari ynë të shmangë “bllokimin” e Mbappe”. Jam shumë falënderues për besimin, por nuk është koha që të flitet për të ardhmen time. Ne thjesht duam që të mbërrijmë në gjysmëfinale, ky është synimi ynë tash për tash”, ka deklaruar timonieri i “Gjelave” që ditën e nesërme ka një punë të vështië përballë “Tre Luanëve” të Gareth Southgate.