
Futbolli në vend është rikthyer, por ata që i japin më shumë bukuri kësaj sfide, tifozët, jo. Pandemia e Coronavirusit ka lënë në shtëpi mbështetësit e skuadrave që janë të detyruar t'i ndjekin ekipet e zemrës nga televizori. Rikthimi i tyre në shkallët e stadiumit është një nga temat më të nxehta. A duhet të jenë ata pranë skuadrave të tyre?
Pikërisht për këtë një mendim e ka presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në një lidhje telefonike për Abc News, kreu i Federatës ka deklaruar se është e mundur që derbi mes Tiranës dhe Partizanit të zhvillohet në praninë e spektaktorëve. Një nga sfidat që prodhon më shumë spektakël dhe mbledh mijëra vetë në shkallët e stadiumit, po shqyrtohet që të luhet me tifozë. Mirëpo për këtë duhet dhënë miratimi i qeverisë që ka ndaluar kategorikisht grumbullimin e njerëzve nëpër aktivite sportive.
"Për ne është plotësisht e mundshme që derbi mes Tiranës e Partizanit të luhet me tifozë. Ne jemi dakord, por për këtë duhet të vendosin autoritetet shëndetësore. Duhet të pyesni edhe kryeministrin Rama se çfarë mendimi ka", ka thënë presidenti Duka.
Derbi mes Partizanit dhe Tiranës është programuar të luhet në datën 12 korrik. Nëse jepet "OK"-ja që tifozët të jenë në stadium, atëherë padyshim që do të zhvillohet në "Air Albania Stadium". Në të kundërt, ky takim mund të luhet në "Selman Stërmasi". Tanimë është në dorën e klubeve, nëse do të bëjnë një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për të pasur tifozët e tyre në derbin e kryeqytetit.