Ndeshja Shqipëri – Francë u parapri nga një koreografi e veçantë ku qindra të rinj zbritën në fushën e stadiumit të ri veshur me të bardha. Pas këtij takimi, prindi i një prej balerinëve ka reaguar ashpër në rrjetet sociale teksa tregon se si janë trajtuar fëmijët e tyre menjëherë pas shfaqjes.
“Nuk u dhanë as ujë”, shprehet fillimisht ajo duke zbuluar se Ministria e Sporteve së bashku me FSHF-në nuk kishin marrë masa për të trajtuar siç duhet të rinjtë që performuan në “Air Albania Stadium”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruhej: “500 adoleshentë yje, ndër ta edhe djali im morën pjesë në një performancë super për hapjen e ndeshjes Shqipëri – Francë. Ishte shumë bukur çdo gjë. Por, a e dini që këta adoleshentë nuk morën asnjë shpërblim për gjithë atë kërcim të bukur që bënë? Për lodhjen 3 mujore që punuan për të arritur aq bukur?
As një bidon me ujë nuk u është ofruar mbrëmë pasi mbaruan kërcimin. Ju ishte tharë goja për një pikë ujë. Si lanë të shikonin të paktën ndeshjen. Ja pra, kjo është Ministria e Sportit në Shqipëri që të merr sa mbarojnë punën e tyre dhe më pas të hedhin tutje. Kurse Flori, Aurela dhe Era për një këngë play-back morën mijëra euro. Rroftë Shqipëria pa të ardhme sepse të ardhmen e flakin në rrugë. Ndaj s’bëhet ky vend, pikë!”
Kujtojmë që ndeshja Shqipëri – Francë u mbyll me shifrat 0-2 dhe kjo sfidë ishte inauguruese për stadiumin e ri që është ngritur mes kryeqytetit.