
Dejvi Bregu është një nga lojtarët e lirë në këtë periudhë merkatoje. Mesfushori i talentuar vlonjat është pa skuadër duke shqyrtuar ofertat në drejtim të tij. Dëshira e shtatshkurtrit ishte një aventurë jashtë vendit, mirëpo një gjë e tillë deri më tani s'është arritur. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje finale në ditët në vijim, gjasat janë që vlonjati të qëndrojë në Superiore. Veç Teutës, interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe klubi i Tiranës.
Burime të sigurta pranë lojtarit tregojnë se ka pasur një bisedë mes tij dhe drejtuesve bardheblu, ku ka shprehur hapur dëshirën për t'iu bashkuar skuadrës së Emanuel Egbo-së. Mirëpo, presidenti Refik Halili nuk preferon të nxitohet duke studiuar me kujdes përforcimet e mundshme në këtë fund të merkatos së verës.
Cilësitë e Bregut nuk diskutohen, por vlonjati luan në të njëtin pozicion me Elton Cale-në, që në sezonin e ri vendi i titullarit në formacion është i padiskutueshëm. Gjithashtu, afrime e reja nga Afrika kanë stepur disi kreun e klubit të Tiranës që ndryshe nga sezonet e tjera, po mundohet të bëjë shpenzime për lojtarë që do t'i shërbejnë ekipit në të ardhmen. .