
Winful Cobinah nuk është kthyer ende në Tiranë. Mesfushori i njohur që spikati me bardheblutë kishte marrë leje te drejtuesit për të pushuar disa ditë pranë familjes së tij në Afrikë. Edhe pse kjo sipas shortit do të ishte java e dytë e Superiores, siç duket Cobinah ka preferuar të qëndrojë disa ditë më shumë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se lojtari ka pasur miratimin e drejtuesve, ndërsa brenda kësaj jave do të mbërrijë në kryeqytet.
Ai është pjesë e rëndësishme e kampionëve për të arritur objektivat në sezonin e ri futbollistik. Edhe pse në medie u trajtua si një çështje që duhet të marrë zgjidhje, burime pranë klubit tregojnë se s'ka asgjë për t'u shqetësuar. Sezoni pozitiv me Tiranën në arritjen e titullit dhe ardhja e fëmijës së tij në jetë, ka bindur drejtuesit që mëngjërashi të jetë i lirë për të qëndruar disa më shumë në vendlindjen e tij.