
Administratori i Flamurtarit karikon lojtarët para transfertës kundër Teutës. Sinan Idrizi ka akorduar një shpërmblim prej 20 milion lekësh të vjetra nëse vlonjatët do të fitojnë ndaj durrsakëve në fundjavë.
Por, futbollistët e Flamurtarit mund të përfitojnë në total 55 milionë lekë shpërblim nëse fitojnë ndaj Teutës, duke marrë parasysh premion që Idrizi i ka vendosur për dy fitoret e arritura ndaj Luftëtarit dhe Vllaznisë.
Fitorja e arritur ndaj Luftëtarit dy javë më parë do të shpërblehet me 20 milionë lekë të vjetra, ndërsa suksesi ndaj Vllaznisë me 10 milionë lekë të vjetra.
Por, nëse Flamurtari do të fitojë kundër Teutës, premios prej 20 milionë lekësh të akorduar nga klubi i shtohet edhe 10%, çka do të thotë se në total, futbollistët e Flamurtarit do të marrin 55 milionë lekë shpërblim.
Premiot e akorduara për fitoret kundër Luftëtarit dhe Vllaznisë shkojnë në total 30 milionë lekë, të cilat janë të sigurta që do të merren nga lojtarët e skuadrës vlonjate, ndërsa këta të fundit pritet të japin maksimumin për të fituar edhe ndaj Teutës për të fituar edhe shpërblimin e radhës të vendosur nga Sinan Idrizi, duke çuar në 55 milionë lekë të vjetra shpërblimin për tre ndeshjet e fundit.