
Çudirat në sportet shqiptare nuk kanë të sosur. Këtë herë ka qënë kreu i federatës së çiklizmit, Skënder Anxhaku ai që ka surprizuar me deklaratën e tij. Anxhaku gjatë një interviste për "TVSH" tha se Federata nuk ka fonde dhe nuk mund të blejë një biçiklete prej 13 mijë eurosh për vetëm një orë garë.
“Ky është një sport që ka shumë shpenzime. Në kronometër ishte planifikuar për të marrë pjesë me tre veta, por për arsye se Sefa nuk ka biçikletë, kronometri që kushton shumë. Nuk është e thënë që nuk mund të blihej 12-13 mijë euro, por është një biçikletë që përdoret për një ditë, për një orë. Ndaj ishte një shpenzim shumë i madh”.
Axhaku foli dhe për mundësitë e çiklistëve shqiptarë për kompeticionin e radhës:
“Eugert Zhupa dhe Redi Halilaj janë dy sportistët më në zë shqiptarë dhe do të kenë rezultat shumë të afërt me vendin e parë. Dihet që në garën e kronometrit ndahen me të qindtat e sekondave. Zhupa është një çiklist shumë i fortë dhe besoj se do të hyjë brenda 20-es.
Në radhë të parë jam shumë i kënaqur me kampionatin europian për mënyrën se si u zhvillua dhe rezultatet që u arritën. Shqipëria kishte mundësi të merrte pjesë jo me dy, por me mbi 10 sportistë në kampionatin botëror. Por, kemi problemet tona, të cilat lidhen më tepër me fondet'' përfundoi ai.
Shqipëria do të marrë pjesë në Botërorin e Çiklizmit, që do të mbahet përgjatë kësaj jave në Bergen të Norvegjisë me dy çiklistët, Eugert Zhupa dhe Redi Halilaj.