Casemiro është gjithnjë e më larg Manchester United. Mesfushori brazilian me shumë mundësi do të ndajë rrugët me klubin anglez në merkaton e ardhshme verore, teksa ofertat për të nuk mungojnë nga Serie A, Ligue 1 apo Arabia Saudite.
Në krahun tjetër United duke ditur situatën, po kërkon për një zëvendësues të denjë të brazilianit. “Djajtë e Kuq” kanë synimet e qarta dhe kanë piketuar mesfushorin e Bayern Munich, Joshua Kimmich, me gjermanin që ende nuk ka vendosur për të ardhmen.
United e sheh Kimmich si lojtarin ideal për repartin e mesfushës, teksa problem mund të bëhet Bayerni. Këta të fundit nuk do të heqin dorë lehtë nga lojtari, të cilit pritet t’i ofrojnë edhe rinovimin.
Megjithatë, skuadra angleze qëndron pas dere. Në rast se gjërat mes Kimmich dhe Bayern nuk shkojnë mirë, United është aty për të përfituar dhe siguruar shërbimet e 29-vjeçarit gjerman.