Janë dashur dy dekada që bota të kuptonte se në realitetin e sportit më të bukur, si ai i futbollit, sytë do dëshmonin përplasjen më sfiduese, emocionuese e që mbajti të mbërthyer të madh e të vogël. Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo janë dy histori të ndara nga njëra-tjetra, por me një të përbashkët, gjurmët me të cilat këmbët e tyre të “arta” shkruan lavdinë në librat e rekordeve.
Askush s’i njihte kur e nisën shkelmimin e topit të parë në fushë, ndërsa sot askush s’i shqitet dot nga mendja një çast i vetëm ku dyshja legjendare nuk kanë prodhuar nivel dhe rivalitet të zjarrtë. Sa në aksin Barcelona-Real Madrid, në luftën në distancë, sa nga Parisi në Juventus, sa nga Miami në Ligën Saudite, këto dy emra kanë përjetësuar certifikatën më të rëndësishme të karrierës, faktin se janë së bashku tok, më të mirët që ka prodhuar historia e shekullit të fundit.
Mbi 1.700 gola të shënuar mes tyre në karrierë dhe qindra asistime të dhuruara janë dëshmia më e qartë se rivaliteti Messi-Ronaldo nuk u ndërtua vetëm mbi trofetë, por mbi një standard që futbollin i sotëm vështirë se do ta shohë sërish. Shumë mund të thonë se Diego Armando Maradona dhe Pele meritojnë respekt për madhështinë e tyre, por peshorja e kohës i fakton të gjitha. Diferencat janë thuajse një pëllëmb vlerësimi dhe njësia e vetme matëse e përshkrimit të duhur që mund t’u japësh është thjesht mirënjohja.
Brezat kanë ndryshuar, po zëvendësohen dhe të tjerë do të vijnë pas nesh me të tjera mendime për yjet e globit që po rriten para syve të tyre. Disa do përgjigjen për Kylian Mbappé, të tjerë do brohorasin për Lamine Yamal, ka dhe nga ata që do bëjnë tifo për Erling Haaland, Vinícius Júnior, Harry Kane, Michael Olise, sepse sot për sot, janë “fenomenë” të kalibrit në raport me nuhatjen drejt golit. Një ditë do të ulemi të gjithë në tryezë. Ndoshta s’do të biem kurrë dakord, madje do hidhen në shesh të gjitha argumentet e mundshme për çdo “idhull” që na ka bërë ta duam kaq shumë futbollin, por për një gjë jemi të sigurt.
Të tilla kohë, kaq shumë yje dhe rivalitet, histori dhe prestigj, nuk do të mbeten gjatë në ekranet e fiksuara ku tifozët mbërthehen me fanellat e veshura për t’iu gëzuar momentumit, ndaj çfarë duhet thënë mbetet: Vetëm shijojini, në një të ardhme shumë të afërt, aty pranë derës që pret të vetmen trokitje “lamtumire”, do të mësohemi të jetojmë pa ta!
