Kupa e Botës 2026 do të sjellë një risi të madhe teknologjike me topin zyrtar “Trionda”, i cili do të ketë nevojë për karikim elektrik para çdo ndeshjeje.
I zhvilluar nga Adidas, topi përdor një sistem të avancuar gjurmimi dhe një karikim i plotë i garanton funksionim deri në gjashtë orë.
Në brendësi të topit ndodhet një sensor lëvizjeje me frekuencë 500 Hz, i aftë të përditësojë të dhënat 500 herë në sekondë. Sistemi regjistron çdo prekje të lojtarëve, si edhe monitoron pozicionin, shpejtësinë, rrotullimin dhe trajektoren e topit gjatë gjithë lojës.
Teknologjia e “Trionda” do të integrohet me kamerat dhe sistemet e gjurmimit në stadiumet e SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, duke krijuar një model tredimensional të ndeshjes.
Të dhënat do të dërgohen në kohë reale te VAR-i për të ndihmuar arbitrat në vendime më të shpejta dhe më të sakta, veçanërisht për rastet e pozicionit jashtë loje dhe lojës me dorë.
