Tension i papritur ka lindur brenda kombëtares franceze para fillimit të Kuës së Botes 2026. Federata Franceze e Futbollit i ka bërë një kërkesë të veçantë lojtarëve të grumbulluar në skuadër, të bëjnë një “sforcim financiar” dhe të pranojnë uljen e bonuseve që u ishin premtuar.
Çdo lojtar përfiton zakonisht nga 21 mijë euro për ndeshje nga të drejtat e imazhit. Vetëm disa muaj më parë, pas kualifikimit të Francës me fitoren 4-0 ndaj Ukrainës, bonusi individual u dyfishua, duke kaluar nga rreth 21 mijë euro në 42 mijë euro, me kërkesë të kapitenit Mbappe dhe me miratimin e shpejtë të presidentit të federatës, Philippe Diallo.
Federata duket se ka ndryshuar tërësisht mendje dhe lojtarët kanë mbetur të befasuar duke qënë se rritja erdhi nga Diallo para pak muajsh. Arsyeja zyrtare e dhënë nga FFF-ja është dëshira për të kursyer në të gjitha ekipet kombëtare, në kuadër të balancimit të buxhetit.
Ky argument ekonomik duket dysheus. Kombëtarja franceze gjeneron të ardhura rekord nga kontrata me “Nike”, e cila kalon vlerën e 100 milionë eurove në vit. Deri më tani federata dhe ekipi i “gjelave” nuk e kanë gjetur akoma një gjuhë të përbashkët.
