Shqipëria dhe Kosova për herë të parë në historinë e tyre kanë siguruar kualifikimin në fazën “Play-Off” të një Kupe Bote. Si kuqezinjtë ashtu edhe “Dardanët” shkruajtën kështu historinë në këtë muaj.
Tashmë kanë përfunduar edhe ndeshjet kualifikuese dhe janë mësuar të gjitha ekipet e kësaj fazë, ndërsa është vendosur edhe ndarja e tyre në vazo.
16 ekipe do të bëjnë mes tyre llogaritë për 4 vendet e fundit për në Kupën e Botës. Këto ekipe janë ndarë në 4 vazo me nga 4 skuadra.
Kështu Shqipëria dhe Kosova ndodhen të dyja në vazon e 3-të dhe rivalët e tyre të mundshëm janë nga Vazo e 2, ku bëjnë pjesë Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia.
Ndërkohë në vazon e parë ndodhen Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukrainë, teksa në vazon e 4-të ndodhen Suedia, Irlanda e Veriur, Rumania dhe Maqedonia e Veriut.
Kujtojmë se tashmë ekipet janë gjithë “sy e veshë” nga FIFA, ku ditën e sotme pritet të zyrtarizohet edhe renditja e re e skuadrave pas ndeshjeve të këtij muaji. Mbetet të shihet nëse do të ketë sërish lëvizje pas renditjes së FIFA-s, ndërsa ditën e nesërme në orën 13:00 do të hidhet dhe shorti për fazën e “Play-Off”.
