
Serbia është përballur me një valë kritikash pas humbjes 0-1 ndaj Shqipërisë, një rezultat që praktikisht e nxjerr jashtë garës për Botërorin. Për të mbajtur gjallë shpresat, serbët duhet të fitojnë kundër Anglisë, e cila deri tani ka një performancë perfekte dhe golavarazh 18-0.
Mediat serbe kanë analizuar në detaje golin e Manajt, ku vëmendje të veçantë ka marrë reagimi i trajnerit Dragan Stojkovic. Sipas tyre, ai e parashikoi skemën e golit dhe sinjalizoi mbrojtësit, por ata nuk reaguan në kohë, duke e lënë Shqipërinë të lirë në zonë.

Goli ishte fryt i një skeme të punuar mjaft mirë, me krosimin e Asllanit dhe përplasjen në ajër të Gjimshitit që i hapën rrugën Manajt. Serbia, e përfshirë në probleme të brendshme dhe në konflikt me trajnerin, nuk arriti të ruante përqendrimin, gjë që Shqipëria e shfrytëzoi në mënyrë perfekte.
Megjithatë, vlen të theksohet se situata në Serbi nuk është aspak e qetë. Duket qartë se lojtarët dhe ish-trajneri Stojkovic kanë pasur marrëdhënie të “krisur”, madje duke çuar deri aty në injorimin e instruksioneve që ai jepte përballë “derbit të jetës” kundër Shqipërisë.