Irani do të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026. Ky është komunikimi i fundit dhe i prerë i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino i cili shprehet i sigurt se kjo kombëtare do të udhëtojë drejt Amerikës për të konkurruar me të drejta të plota si çdo skuadër tjetër pjesëmarrëse.
Edhe pse ministri iranian i Sportit, e kundërshtoi një mundësi të tillë, për shkak edhe të pasigurive që lidhen me jetët e futbollistëve dhe tifozëve drejt vendeve pritëse të Botërorit, Infantino deklaroi se nuk ekziston asnjë pengesë e mundshme që ata të luajnë në Botëror.
“Ekipi iranian do të vijë pa dyshim, kjo është e sigurt. Ata duhet të luajnë, sepse sporti duhet t’i qëndrojë larg politikës. Ne nuk jetojmë në hënë, por në planetin Tokë, por nëse askush tjetër nuk beson tek ndërtimi i urave lidhëse dhe mbajtja e tyre së bashku, ne në FIFA e bëjmë këtë. Urojmë që paqja të vihet në vend atje”, është shprehur kreu i organit drejtues të futbollit botëror.
Infantino ishte gjithashtu pjesë e një vizite në Turqi, aty ku u ndesh në një seancë stërvitore me skuadrën iraniane dhe tha se ata i komunikuan dëshirën e tyre për të marrë pjesë në ngjarjen më të rëndësishme të futbollit.
