
Mbrëmja e djeshme ishte e hidhur për Milanin. Kuqezinjtë u mposhtën me përmbysje në transfertë kundër Bolognas me rezultatin 2-1. Pas kësaj sfide ka folur sulmuesi i kuqezinjve, Rafael Leao, i cili shënoi golin për të tijët.
Ylli portugez bën thirrje për bashkim, pavarësisht kësaj humbje. Ndër të tjera, Leao ngre pikëpyetje duke u shprehur se ka shumë vendime të çuditshme që po merren, por në rast se do të fliste, sulmuesi thotë se do të bëhej name.
“Ne e kishim ndeshjen në dorë, nuk kam shumë për të thënë. Ne donim të fitonim, si të gjitha ndeshjet. Ne jemi ata që duhet të fajësohemi sot, duhet të ngremë kokën dhe të bashkohemi. Ne luajmë në shtëpi kundër Lacios në sfidën e radhës dhe duhet të fitojmë.
Ka pasur disa vendime të çuditshme, por, nëse flas, do të bëhej nami. Vendimi i golit të parë ishte i çuditshëm, por ne duhet të shohim veten tonë. Pjesa e parë ishte e mirë dhe duhet të bazohemi tek ajo për të qëndruar të gjithë bashkë. Tani na pret Lacio, një skuadër e vështirë. Shpresojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të marrim 3 pikë të rëndësishme.
Të gjitha ndeshjet nga tani e tutje janë një finale për ne. Kundër Bolognas mbaroi ndeshja ashtu siç e pamë, jemi të zhgënjyer, por të mos harrojmë që duhet ta mbajmë kokën lart, sepse na pret një skuadër shumë e fortë në sfidën e radhës. Duhet të fitojmë me çdo kusht.
A besoj ende te Champions? Sigurisht që po. Ka ende shumë ndeshje për të luajtur. Të gjitha skuadrat humbasin pikë. Ne, nga ana tjetër, kërkojmë që të bëjmë sa më mirë punën tonë”, është shprehur sulmuesi portugez i kuqezinjve, Rafael Leao.