Gjykata Administrative Rajonale e Lazio-s ka lënë në fuqi dënimin ndaj Roma, Napoli dhe Fiorentina. Si pasojë, tifozët e këtyre tre klubeve të Serie A nuk do të lejohen të udhëtojnë në transfertë deri në fund të sezonit, pasi kërkesa për pezullimin e masës u rrëzua.
Vendimi lidhet me incidentet e 18 dhe 25 janarit, kur grupe tifozësh u përfshinë në përleshje. Fillimisht, mbështetës të Fiorentinës u përplasën me ata të Romës teksa po udhëtonin drejt ndeshjeve në transfertë.
Një javë më pas pati tensione edhe mes tifozëve të Napolit dhe Lazio, gjatë lëvizjeve të tyre drejt dhe nga transfertat përkatëse. Masa konsiderohet një goditje e fortë për tre klube me emër, të cilat në ndeshjet jashtë fushe do të mbeten pa mbështetjen e tifozëve.
