Sfida e djeshme mes Cremoneses dhe Napolit, u mbyll me rezultatin 0-2, në favor të ekipit të Antonio Contes. Pas suksesit të djeshëm, trajneri i skuadrës u ndal edhe tek bilanci i të gjithë 2025-ës dhe paraqitjet e denja të cilat skuadra ka regjistruar. Conte u shpreh i kënaqur për atë që ekipi arriti në një vit kalendarik plot emocione dhe suksese.
“Po festojmë një vit fantastik, në të cilin arritëm diçka të madhe dhe deri diku të papritur. Fitimi i titullit kampion dhe më pas i Superkupës, duke mposhtur Milanin dhe Bologna-n, janë rezultate që do të mbeten. Më vjen keq që kjo periudhë po mbyllet, sepse ishte një vit shumë i bukur dhe emocional”, deklaroi Conte.
Ndër të tjera ai u ndal edhe tek sulmuesi Hojlund, i cili ishte dhe autori i dy golave në ndeshjen kundër Cremones-es. Sipas tij futbollisti ka akoma vend për më mirë, por potenciali i tij është shumë i lartë.
“Është shumë i ri dhe ka ende hapësirë të madhe për përmirësim. Po bëhet gjithnjë e më dominant në rolin e tij, po mëson kur të sulmojë hapësirën, kur të mbajë topin dhe kur të reagojë për ta rikuperuar. Potenciali i tij është shumë i lartë”, u shpreh Conte.
