Humbja me shifrat 2-3 përballë Atalantës në “San Siro”, ka lëkundur jo pak pozitat e Milanit në zonën Champions. Një ditë pas disfatës së papritur, marrë shkas që bergamaskët janë jashtë çdo objektiv evropian, drejtuesit e klubit kuqezi kanë zhvilluar një takim.
Në kampin stërvitor të Milanelos, nuk ishte si ditët e tjera. Pas protestës së tifozëve, drejtori ekzekutiv i klubit, Giorgio Furlani kërkoi dhe organizoi një takim në Casa Milan. Sipas mediave italiane, në atë mbledhje është kërkuar unitet në këtë fazë të nxehtë, të paktën derisa të arrihet objektivi.
Kjo për shkak të frikës që drejtuesit kanë në rast moskualifikimi në UEFA Champions League. Kjo do të rrezikonte ndjeshëm të ardhmen e klubit dhe do të sillte ndryshime rrënjësore, gjithashtu në aspektin financiar do të ishte një humbje e madhe.
Në këtë takim “urgjent” ishte edhe drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare me shqiptarin që është “mes dy zjarreve” dhe me një të ardhme në pikëpyetje. Gjithashtu flitet se Tare mund të shkarkohet, por po pritet fundi i sezonit dhe situata me objektivin Champions.
