Kur na ndajnë edhe 24 orë nga derbi i Madonninës mes Interit dhe Milanit, trajneri i kuqezinjve, Max Allegri ka zgjedhur t’i sfidojë rivalët e tij të përjetshëm duke deklaruar se në futboll “askush s’mund ta di se ç’mund të ndodhë”, sa i përket dilemës nëse skuadra e tij mund t’i afrohet në garën për titull.
Edhe pse deklaron sërish që objektivi për të cilin ata luftojnë është renditja mes 4 më të mirave në kampionat që siguron automatikisht një vend në Champions, për trajnerin livornez, derbi mbetet një derbi.
“Derbi është gjithmonë një ndeshje e veçantë. Është diçka e bukur ta luash dhe ta përjetosh. Do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha sportive. Por, për ne mbeten të rëndësishme tre pikët”, është shprehur Allegri.
Sa i përket distancës prej 10 pikësh me rivalët e qytetit, 58-vjeçari sqaron se në futboll gjithçka mund të ndodh, por thekson se për të vlen më shumë rikthimi në Champions.
“Nuk di të them që do të rihapim garën në kampionat. Jemi katër fitore larg kthimit në Champions, ndaj në rast se fitojmë të dielën, mbetet një më pak”, shtoi trajneri.
Për të përgatitur këtë ndeshje, Milani ka patur të gjithë javën në dispozicion, ndërsa Interi është angazhuar në stërvitje pas përballjes në Kupën e Italisë ndaj Comos, luajtur në mesjavë.


