Vllaznia ditën e sotme surprizoi një nga ish – mësuesit. Bëhet fjalë për ish-mësuesin Muhamet Shala, i cili mori urimet nga disa futbollistë të Vllaznisë me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
Lumturia shihet qartë në sytë dhe fyturën e ish-mësuesit, i cili ndau edhe disa detaje nga jeta e tij, ku tregoi se pasionin për futbollin dhe Vllazninë e mori nga babai. Madje tregoi se diçka të tillë ia ushqeu edhe djalit dhe mbesave të tij.
Këto të fundit e telefonojnë sa herë që Vllaznia fiton dhe në rastet kur humbet nuk flasin me gjyshin, se mbesat e dinë se është i mërzitur.
“Tifozllëkun ma ka ushqyer babai. Qysh fëmijë më merrte, kam qenë 6 – vjeç. Më fuste nën tabare, që të mos më binte era dhe shiu. Atë dëshirë me pa Vllazninë ia ushqeva djalit. Djali ia ushqeu fëmijëve, vajzave të tij. Sa herë që fitonte Vllaznia nuk pushonte telefoni. Kur humb Vllaznia mbesat nuk më marrin në telefon, sepse është gjyshi i mërzitur. Tifozë me Vllazninë e Shkodrës jemi 4 breza me radhë. Këto vitet e fundit kam patur shumë dëshirë që Vllaznia me dalë aty ku i takon. Këtë vit don Zoti na shkon mbarë, të jemi me këmbë në tokë, të bëjmë më të mirën. Është një Shkodër e tërë që iu don. Të nderoni edhe presidentin Alban Xhaferi. Ne iu përkrahim, të luani fort, bukur dhe të fitoni.
Kam shkuar deri në Podgoricë me pa Vllazninë, në 1987 me Budoçnost . Shkuam 187 veta dhe dolëm 1-1. Aty takova disa shkodranë që i kam pas në lagje, i kanë pas përzënë prej Shkodre. Pastaj shkova në Cetinje, për të parë vendin ku ka pas punuar babai. Vllazninë e Shkodrës babai im e ka pas filmuar në një ndeshje miqësore 1932 në Podgoricë. 2-0 dhe 6-2, dy ndeshje dhe babai im i fotografoi. Ndeshja më e bukur është kur kemi fituar me Austrinë e Vjenës, stadiumi i mbushur, i famshmi Mehdin Zhega. Po i mrekullueshmi Sabah Bizi, fituam 2-0. Robert Cara, futbollist që vinte nga kampionati botëror, Përhaska, futbollistë të klasit botëror. Është kënaqësi kur mbushet stadiumi, kur bëhet gol ushton deri në Kelmend, se nuk e ndjen vetëm futbollisti, por të gjithë njerëzit e qytetit. Ishte kënaqësi dhe shumë dashamirësi”, ka përfunduar ish-mësuesi i futbollistëve shkodranë.
View this post on Instagram

