
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kthyer në destinacionin perfekt për ekipet elitare europiane të cilat preferojnë të zhvillojnë turne miqësor atje për shkak të ekspozimit të madh të markës së tyre. Supermiqësore zhvillohen ditë pas dite në orët e vona të natës me kohën europiane që ngjallin interesin e miliona fansave nëpër botë.
Dy të tilla ishin edhe ato mes Manchester United – Liverpool dhe Manchester City – Chelsea që sollën aromën e Premier League në SHBA. Liverpool dhe City ia dolën të fitojnë me rezultate të thella përballë rivalëve të tyre.
The Reds mposhtën Djajtë e kuq pastër me rezultatin 0-3 falë golave të Fabio Carvalho, Curtis Jones dhe Kostas Tsimikas. Leksion futbolli nga trajneri Arne Slot për ish-rivalin e tij në Hollandë, Erik ten Hag, të cilin tashmë e ka rival edhe në Angli.
Sfida tjetër ishte shoë golash me 6 herë tundje rrjetash. ‘Qytetarët’ fituan me rezultatin 4-2 me Erling Haaland që shkëlqeu me një tripletë të realizuar. Goli tjetër u shënua nga Oscar Bobb, ndërsa për londinezët ishte Sterling dhe Madueke që ngushtuan avantazhin e djemve të Guardiolës.
Manchester United 0-3 Liverpool
Manchester City 4-2 Chelsea