Joao Pedron ka fituar besimin e Liam Rosenior. Trajneri i Chelsea nuk ka kursyer lavdet për të, madje e ka vendosur sulmuesin në një krah me Erling Haaland, Harry Kane apo Kylian Mbappen.
Ky vlerësim vjen menjëherë pas tripletës që sulmuesi shënoi për herë të parë në Premier League, duke i dhënë fitoren 4-1 Chelsea ndaj Aston Villa.
“Joao është në atë kategori tani. Në dy muajt që kam qenë këtu, ai ka treguar vazhdimisht se është një sulmues i klasit botëror.
Unë flas për lojtarët e mi; është mungesë respekti ndaj Erlingut t'i krahasoj ata. Nuk e njoh shumë mirë Erlingun, por nga jashtë ai duket një sulmues i mrekullueshëm, i klasit botëror.
Nuk do ta ndërroja Joaon me askënd në këtë moment - ai po tregon të gjitha cilësitë dhe atributet që dua të shoh. Gjëja e mirë për Joaon është mosha e tij - ai ende mund të përmirësohet, dhe unë kam vënë re disa fusha ku ai mund të përmirësohet. Por niveli në të cilin ai po vepron tani është i klasit botëror, dhe është puna ime, puna e klubit dhe puna e tij ta mbajmë atje”, ka deklaruar timonieri i anglezve.
Ndërkohë vlen të theksohet se Pedro në këtë sezon ka luajtur me “Blutë” e Londrës në 18 ndeshje, ku ka arritur të shënojë edhe 17 gola.
