
Ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, tani komentator televiziv, ka kritikuar Erling Haaland për refuzimin për të gjuajtur një penallti në humbjen 1-0 të Manchester City ndaj Crystal Palace në finalen e Kupës FA. Duke folur për “BBC”-në , Rooney tha:
“Erling Haaland është një sulmues i klasit botëror, por kur flet për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, nuk ka asnjë mënyrë që ata të lejojnë dikë tjetër të gjuajë një penallti. Thjesht nuk është një opsion. Kjo është ajo që i ndan këta dy lojtarë nga Erling Haaland ose Kylian Mbappe ose atletë të tjerë të këtij niveli.
Ata janë egoistë dhe duan të shënojnë në çdo ndeshje. Kur Haaland humbet raste, mendoj se mund ta shihni se ai ndihet keq dhe kjo e ndikon. Ndoshta ideja e gjuajtjes së një penalltie në Wembley ishte e tepërt për të. Nuk i dihet kurrë, ai është qenie njerëzore”.
Në fakt, Haaland e la shokun e tij të skuadrës, Omar Marmoush, të ekzekutonte penalltinë, gjuajtja e të cilit u prit nga Dean Henderson. Humbja e Cityt në finalen e Kupës FA do të thotë se ky është sezoni i parë që sulmuesi norvegjez nuk ka fituar një trofe që kur iu bashkua klubit, dhe sezoni më i keq i Guardiolës te City.