Humbja në "Etihad Stadium" përballë Manchester Cityt ka lëkundur pozitat e Arsenal që tashmë s'e ndjen më kaq të sigurt objektivin për të fituar titullin në Premier League.
Goli i Haaland në pjesën e fundit dhe shanset e shpërdoruara, ku spikatën dhe dy shtyllat që i mohuan miqve epërsinë, ndihen në këto momente në radhët e "Topçinjve" që duhet të bëjnë akoma më shumë kujdes për ndeshjet e mbetura, në mënyrë që ecuria e tyre fantastike që prej nisjes së sezonit mos t'u rrëshkasë nga duart.
Lidhur me këtë disfatë të rëndë, ka folur dhe Mikel Arteta i cili nënvizoi se saktësia në metrat e fundit u mungoi të tijëve dhe se diferencat mes dy skuadrave ishte shumë pak e dukshme.
"Kur shanset nuk shfrytëzohen dhe ekipi tjetër e ka cilësinë individuale, ky është rreziku nga i cili ti humb ndeshjen. Nuk mendoj se kishte dallime mes skuadrave. Ka të bëjë dhe fatin, pastaj me cilësinë individuale. Të kesh qetësinë, saktësinë dhe të jesh i pamëshirshëm", deklaroi Arteta.
Në fund, trajneri i londinezëve u shpreh se skuadra e tij nuk duhet të ndihet nën presion, pasi përpara janë dhe 5 sfida të mbetura e ku Arsenal duhet të rivendoset për të marrë më të mirën prej tyre.
