
Kyle Walker me shumë gjasa do të largohet nga Manchester City që në merkaton e janarit. Këtë e konfirmoi vetë trajneri Pep Guardiola në një intervistë pak ditë më parë.
Destinacioni i mundshëm ku mund të shohim 34-vjeçarin të vazhdojë mund të jetë Milani. Trajneri i qytetarëve nuk dëshiron të humbasë kohë dhe po synon të sigurojë krahun e djathtë të mbrojtjes.
Guardiola i ka kërkuar drejtuesve të Manchester City të hedhin sytë tek Andrea Cambiaso i Juventusit. Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, 24-vjeçari italian është alternativa kryesore për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Megjithatë, bardhezinjtë nuk do të nisin asnjë diskutim me klubin anglez nëse këta të fundit nuk bëjnë të paktën një ofertë prej 50 milionë euro për italianin.