
Jurgen Klopp luan ditën e nesërme ndeshjen e fundit me Liverpool në Premier League. timonieri gjerman është bërë pjesë e “The Reds” në verën e vitit 2015, dhe pas thuajse 10 vitesh largohet nga “Anfield”.
Ndaj Wolves do të tentojë fitoren për të përfunduar siç duhet aventurën e tij te Liverpool. Në prag të kësaj sfide ka folur në konferencën për shtyp, ku ka deklaruar se është mjaft krenar për rrugëtimin e tij, ndërsa nuk mund të bënte mirë se kaq, teksa ka fituar 8 trofe me “The Reds”.
“Jam krenar për aventurën time te Liverpool. E di që mund të kishim fituar më shumë trofe, por tani nuk mund të bëjmë asgjë më shumë se kaq. Mund të kishim fituar më shumë Champions League. Arritja tre herë në finalen e Ligës së Kampionëve është një arritje e jashtëzakonshme. Të jesh mjaft i guximshëm dhe të përpiqesh edhe një herë aq shumë sa bëmë ne është vërtet guxim.
E kam thënë edhe më parë, nuk do të isha i lumtur nëse do të mendoja se mund të bëja më shumë. Nuk mundem. Nuk mund të kisha bërë më shumë. A mund të kisha bërë më mirë? Unë? Jo. A mund të kishte bërë dikush tjetër më mirë? Ndoshta është e mundur. Por në atë situatë, jo”, ka përfunduar timonieri i “The Reds”.