Përballje interesante kjo e sotmja mes Burnley dhe Bournemouth, e cila u mbyll me barazim, me rezultatin 1-1, dhe ishte e vlefshme për javën e 17-të të Premier League.
Goli i barazimit u shënua nga sulmuesi i kombëtares, Armando Broja në minutën e 90-të, të ndeshjes. Sigurisht që barazimi nuk lumturon askënd por i ka bërë shumë “nder” si fillim Brojës dhe më pas trajnerit të tij, Scott Parker.
Rikujtojmë se sipas mediave angleze, për Parkerin kjo ndeshje ishte deçizive për të përcaktuar fatin e qëndrimit të tij në skuadrën vjollcë, pasi ekipi numëron 7 humbje seri.
Megjithatë sukseset duhen duatrokitur sidoqofshin ato, dhe për “minitriumfin” e sotëm në një intervistë për median "BBC" ka folur edhe trajneri i Burnley. Ai ia atribuoi të gjitha meritat Brojës, duke thënë se kjo paraqitje e tij ishte shumë e rëndësishme për sulmuesin, dhe shpreson shumë që të bëhet akoma më mirë.
"Merita e plotë i takon Armandos, ai shënoi golin, dhe kjo është shumë e rëndësishme për të, dhe shpresojmë që kjo të jetë një trampolinë për të që të vazhdojë të lëvizë në drejtimin e duhur, gjë që po e bën", ka përfunduar Parker.
