
Humbja e fundit në Premier League, me rezultatin 0-1 përballë West Ham, duket se ka lënë një shije të hidhur tek kampi i Arsenalit. Megjithatë, trajneri Mikel Arteta beson ende tek titulli kampion edhe pse diferenca me vendin e parë që mbahet nga Liverpool është 11 pikë. Por, “Topçinjtë” kanë një ndeshje më pak.
“A ka përfunduar gara e titullit në Premier League? Duhet të kalosh mbi trupin tim të vdekur. Unë do të kthehesha në shtëpi nëse do të mendoja se nuk mund ta fitoja titullin. Është më e vështirë se sa ishte tre ditë më parë, por nëse dëshiron të fitosh Premier League, duhet të bësh diçka të veçantë.
Nëse duam ta fitojmë titulin kampion pas gjithçka që kemi kaluar, duhet të bëjmë diçka që askush tjetër nuk e ka bërë në historinë e kompeticionit. Ne e dimë se sa shpejt mund të ndryshojmë gjithçka në kampionat, e kemi në dorë vetë diçka të tillë”, është shprehur trajneri spanjoll, Mikel Arteta.