
Aston Villa mposhti Fulham të shtunën në shifrat 3-1. Me këtë fitore skuadra nga Birmingham i Anglisë regjistroi fillimin më të mirë në Premier League në 26 vitet e fundit.
Villa e çoi ecurinë e ndeshjeve si e pamposhtur në 6 pas një përplasjeje argëtuese në Londër kundër ish-ekipit të Armando Brojës. 3 pikët e mysafirëve erdhën me përmbysje pasi skuadra londineze kaloi në avantazh e para. Fitorja i ngjiti birminghamasit në vend të 4-të, me vetëm 1 pikë minus nga Liverpool që mposhti Chelsea-n dje.
Unai Emery, trajneri spanjoll i ekipit të simpatizuar nga një prej princave të Mbretërisë, dëshiron që klubi të qëndrojë konsistent dhe të shmangë çdo shpërqendrim të mundshëm. 52 vjeçari tha se objektivi është kualifikim për në Champion si edicionin e kaluar përmes elitës angleze.
“Çdo ndeshje është e vështirë dhe ne duhet të jemi të fokusuar në çdo çast. Duhet të jemi stabël si sezonin e kaluar. Objektivi ynë është të kapim kompeticionin më elitar për klube si vitin e kaluar. Disa lojtarë po kthehen nga dëmtimet dhe po na ndihmon shumë kjo gjë. Premier League është më e rendësishmja për ne, pavarësisht se duam të shkojmë sa më larg në Europë. Tifozët janë të vetëdijshëm se sa i çmuar është divizioni i parë anglez që ne të shijojmë përsëri emocionet e Champions siç po bëjmë tani”, u shpreh ish-trajneri i Arsenal.
Villa-n e pret një takim i vështirë kundër italianëve të Bolonjas në Champions këtë mesjavë dhe ambiciet janë të mëdha në klubin mbretëror. Aston ka fituar Kuppën e vjetër të Kampionëve në vitin 1982 dhe ta shpresojnë të rikthehen në lavdinë e dikurshme.