Chelsea pësoi disfatën e 5-të radhazi në kampionat, madje duke mos regjistruar asnjë gol në portën e kundërshtarëve. Një statistikë tmerruese për londinezët, të cilët duhet t’i bëjnë mirë llogaritë për ndeshjet e mbetura në Premier League.
Përballë Brighton ishte një ndeshje për t’u harruar. Tri gola të pësuar dhe asnjë reagim nga djemtë e Liam Rosenior të cilët u demotivuan keq dhe lëshuan një tjetër mundësi nga duart për të ngritur kokën.
Vetë trajneri ka mbetur i pakënaqur me këto paraqitje të futbollistëve të tij, madje duke ngritur dhe zërin për atë se çfarë lojtarët kanë shfaqur në fushën e lojës.
“Ju kam mbrojtur gjithë kohën kur keni bërë gjënë e duhur, por s’mund ta justifikoj atë performancë që nuk përfaqëson aspak këtë klub, madje asgjë nga ato çfarë kam kërkuar për t’u ndryshuar. Nuk jemi asgjëkundi me nivelin që po tregojmë. Ndërhyrjet, duelet, intensiteti, shpirti, energjia dhe pasioni po mungojnë dhe kjo është arsyeja pse ne humbëm”, ka qenë reagimi i Rosenior drejtuar të tijëve.
Ndeshja e radhës është përballë Leeds në gjysmëfinalen e FA Cup, ndërsa në kampionat do të gjejnë Nottingam Forest në shtëpi dhe tek Chelsea duhet dhënë maksimumi, pasi në të kundërt, edhe shansi më minimal për një kualifikim në Champions League do të zerohej.
