Franca mirëpret të premten klasiken mes Paris Saint-Germain dhe Monacos, në nisjen e javës së 25-të. Një përballje me shumë interes për të dyja skuadrat, të cilat luftojnë për objektiva të ndryshëm.
Kryesuesit e kampionatit janë të etur për të zgjatur edhe më shumë diferencën me vendin e dytë, Lens, e cila momentalisht është katër pikë, ndërsa në krahun tjetër Monaco do tentojë t’i afrohet Rennes së vendit të 6-të, pozicion që të kualifikon në Ligën e Konferencës.
Të besuarit e trajnerit Luis Enrique po kalojnë një moment të jashtëzakonshëm, duke marrë plot 9 fitore në 10 ndeshjet e fundit të Ligue 1, çfarë e ka çuar diferencën me ndjekësit më të afërt në 4 pikë.
Sakaq, tek skuadra nga Montecarlo ka optimizë, se mund të arrijnë një pozicion të rëndësishëm që do i kualifikonte ata në kupat e Europës. Tre fitoret e fundit në kampionat i japin besim trajnerit Sébastien Pocognoli për të tjera ecuri pozitive.
Përballja e fundit mes këtyre skuadrave kulmoi në Champions League, ku PSG fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5-4 duke kaluar një fazë më tej.
