Florentino Perez doli para mediave ditën e sotme, duke i dhënë përgjigje disa prej çështjeve më të zëshme që kanë përfshirë Real Madridin përgjatë këtij sezoni.
Në një konferencë për shtyp, kreu i presidencës së klubit preku temat si thashethemet për një dorëheqje të tij për shkak të sëmundjes së rëndë, periudhën kur do të mbahen zgjedhjet e reja si dhe për Negreirën, duke mos i ndalur akuzat në drejtim të Barcelonës për ndikimin e arbitrave në favor të tyre.
Arsyet e vendimit - "Është krijuar një situatë absurde, e nxitur nga fushata që synojnë të krijojnë opinione kundër interesave të Realit dhe veçanërisht kundër meje. Po përfitojnë që s’kemi patur rezultatet më të mira, gjë që e pranojmmë sepse në sport nuk fitohet gjithmonë. Kjo ka ndodhur dhe herët e tjera, por tani po përdoren për të më sulmuar mua personalisht. Po pyesin se ku është Florentino, thonë se jam sëmurë dhe kam kancer terminal? Zakonisht nuk dal publikisht për të folur, por dua ta shfrytëzoj këtë rast për ata që janë shqetësuar për mua duke thënë se unë vazhdoj ta drejtoj çdo ditë, si Real Madridin po ashtu dhe kompaninë time. Ju rikujtoj se jam president i një kompanie lider botëror në infrastrukturë, me 170 mijë punonjës dhe një xhiro vjetore prej 50 miliardë eurosh. Shëndeti im në gjendje perfekte, sepse nuk do të mund të isha në të dyja këto role pa qenë në gjendje të plotë shëndetësore. Nuk e di si nisi ky thashethem. Është një trillim, dhe tani kanë vendosur të thonë se jam thjesht i lodhur. Unë punoj pa pushim. Jam i pari që zgjohem dhe i fundit që shkoj të fle.”
66 trofe si president - "Ndaj të njëjtin zhgënjim që këtë vit nuk kemi arritur të fitojmë asgjë. Jam i pari që dua të fitojmë gjithçka. Ju kujtoj se gjatë presidencës sime kemi fituar 66 trofe në futboll dhe basketboll: 37 në futboll dhe 29 në basketboll, përfshirë 7 Kupa Europiane në futboll dhe 3 në basketboll."
Fushatat mediatike: "Dua t’u drejtohem të gjithë atyre që besoj se qëndrojnë pas kësaj fushate, atyre që pretendojnë se ka njerëz që punojnë në prapaskenë për të kandiduar. Le të kandidojnë. Kjo është mundësia që po u jap. Do të shpall zgjedhje dhe ky Bord Drejtues do të rikandidojë. Ftoj këdo që dëshiron të kandidojë ta bëjë këtë, dhe unë vetë do të kandidoj për të mbrojtur interesat e anëtarëve të Real Madridit, jo interesat e disa gazetarëve që mendojnë se duke shkaktuar dëm dhe konfuzion do të më frikësojnë. Përkundrazi, kjo vetëm më forcon. Ka grupe që duan të kontrollojnë Real Madridin dhe nuk ia kanë dalë, sepse vendimet i marrin anëtarët e klubit, jo gazetarët apo bashkëpunëtorët e tyre që thonë gjëra dhe njerëzit i besojnë. Njerëzit më besojnë mua. Disa gazetarë mendojnë se kanë ndikim mbi vendimet e klubit sepse e konsiderojnë veten shumë të rëndësishëm. Unë kandidova në vitin 2000 dhe e njoh shumë mirë këtë histori. Filloi me José María García dhe më pas vazhdoi me të tjerë. Në Real Madrid, anëtarët janë ata që vendosin për sa kohë që unë jam këtu. Nuk duhet të veprojnë në mënyrë të fshehtë. Kushdo që dëshiron të kandidojë, le ta bëjë. E ka mundësinë të paraqesë projektin e tij përballë meje. Nuk ka nevojë të përdorë gazetarë për të thënë se dukem i lodhur. Jam i lodhur sepse punoj shumë, jo sepse jam i sëmurë.”
Kronikat e ABC - “Nëse thonë se kam kancer, siç është përhapur kohët e fundit, atëherë duhet të shkoj në një qendër onkologjike dhe të kontrollohem. Mendoni se po të ishte e vërtetë, nuk do të ishte bërë lajm në të gjithë botën? Nuk është e vërtetë. Është një shpikje, dhe tani kanë vendosur të thonë se jam thjesht i lodhur. Po ju tregoj çfarë më sapo më transmetuan para se të hyja këtu. ABC, një gazetë që më do shumë: ‘Para mbledhjes së Bordit të Real Madridit, Florentino i tha një rrethi të afërt se ishte i lodhur, duke ngritur alarmin.’ Faleminderit shumë. Nuk e njoh këtë person. Si mund t’i thonë këto gjëra? Quhet David Sánchez de Castro. Me kë kam folur unë? ABC publikon vazhdimisht histori të tilla. Unë punoj pa pushim. Zgjohem i pari dhe fle i fundit. Babai im gjithmonë lexonte ABC dhe më abonoi vite më parë. Doja ta respektoja kujtimin e tij, por tani kam vendosur ta anuloj abonimin tim te ABC. Duhet t’i jap fund kësaj situate sepse, si president i Real Madridit, nuk mund të pranoj që disa media të përfitojnë nga fakti që këtë vit nuk fituam La Ligën apo Champions League. Ata tashmë kanë harruar se vetëm dy vite më parë fituam të dyja. Tani thonë se Real Madridi është në rrënim dhe kaos, ndërkohë që mbetet klubi më prestigjioz në botë dhe këtë e pranon kushdo.”
Çështja Negreira: - “Tre vite më parë mësuam për një rast korrupsioni si çështja Negreira. Nuk ka precedent në historinë e futbollit botëror. Është skandali më i madh në histori, një çështje ende e pazgjidhur që vazhdon të ketë pasoja. Është e pakuptueshme që ende shohim arbitra të asaj periudhe në një kompeticion si La Liga. Janë paguar ryshfete për dy dekada. Janë të njëjtët arbitra dhe ne po përgatisim një dosje të rëndësishme që do t’ia paraqesim menjëherë UEFA-s, në mënyrë që çështja të trajtohet në themel dhe të zgjidhet për të mirën e futbollit botëror.”
Klubi me rekordin më të mirë: - “Dua t’u kujtoj të gjithëve, në rast se dikush e ka harruar, se ky është klubi me më shumë trofe në historinë e futbollit dhe lider në të gjitha renditjet më të rëndësishme. Është klubi më i vlefshëm sipas Forbes, me të ardhurat më të larta sipas Deloitte dhe më prestigjiozi në botë sipas Shoqatës Botërore të Sporteve. Pse disa gazetarë duan të sulmojnë klubin më prestigjioz, më të vlefshëm dhe më të mbështetur në botë? Ky klub është një pasuri për të gjithë dhe një thesar i futbollit. Është po ashtu skuadra më e vlefshme në botë sipas Transfermarkt. Ne kemi gjithçka dhe më vjen turp ta them që jam zgjedhur presidenti më i mirë në histori. Pse duan të më shkatërrojnë? Sepse disa të rinj thonë se duan të kandidojnë? Le të kandidojnë, do të doja të kandidonin të gjithë. Do t’u them se pronarët e Real Madridit janë anëtarët e klubit, dhe pikërisht për këtë kandidova 26 vite më parë. Kemi arritur atë që askush tjetër nuk e ka arritur në historinë e futbollit. Tani duan të na shkatërrojnë sepse nuk mundëm Barcelonën ditën tjetër. Jo. Kjo është një fushatë e organizuar.”
