
Hajduk Split nuk ia doli në “Air Albania” ndaj Dinamos. Kroatët u mposhtën nga skuadra e Ilir Dajës me rezultat të përgjithshëm 3-2. Një humbje që solli edhe eliminimin nga Conference League për gjigandët kroatë.
Pas ndeshjes ka folur trajneri i Hajduk Split, Gonzalo Garcia. Timonieri i kroatëve theksoi se skuadra e tij nuk e nisi ndeshjen siç duhej dhe se Dinamo ishte më efektive.
“E nisëm ndeshjen me një ritëm më të ulët se kundërshtari. Ata nisën të luanin me presion të lartë dhe ne vonoheshim në të gjitha situatat, në duele. Na shënuan gol, por nuk patën ndonjë rast të madh. Ne ishim gjithmonë pranë zonës së tyre, por nuk shënuam. Luajtëm mirë edhe me dhjetë lojtarë, pastaj ata shënuan nga 25 metra. Më pas shënuan edhe golin e tretë. U munduam, por ishte e vështirë. Provuam të dilnim përpara.
Nuk do të qaj, por në dy ndeshjet patëm shumë raste. Ata ishin shumë efektivë. Ata shënuan një gol nga distanca e largët edhe në ndeshjen e parë. Sot nuk patëm atë energji të lartë, por mendova se do të kalonim sepse patëm shumë raste dhe e kontrolluam ndeshjen.
Bamba luajti mirë. Nuk e pashë shumë mirë situatën për kartonin e dytë të verdhë. Ai e preku topin dhe nuk e di nëse ishte për kartonin e dytë të verdhë. Ky është futbolli. Lojtarët e dinë që jemi në një proces. Po luajmë me shumë lojtarë të rinj që po marrin shumë minuta në fillim të sezonit. Duhet të rikuperohemi fizikisht dhe pastaj mendërisht. Mendoj se të gjithë janë të zhgënjyer, por ne dhamë gjithçka nga vetja. Duhet të vazhdojmë të luajmë dhe të rritemi si ekip", ka përfunduar Garcia.