
Dinamo u eliminua nga Play Off i Conference League pas barazimit 1-1 ndaj Jagiellonias, pasi ndeshja e parë përfundoi 3-0 në favor të polakëve. Në përfundimin e këtij takimi, Bernard Berisha doli në prononcim për mediat.
“Dua të falenderoj gjithë çunat për mikpritjen. Dajës ia njoh mentalitetin. Jam munduar të jap më të mirën, sot fati nuk ishte me ne. Në ndeshjen e parë duhet të bënim më mirë. Por ky është futbolli. Nëse vazhdojmë kështu na pret një e ardhme e ndritur.
Përgatitjet fizike i kanë më të mira skuadrat europiane, ne duhet të përmirësohemi në nivel. Futbolli shqiptar po ecën përpara, duhet një punë më e madhe. Shumë shpejt do arrijmë grupet e Ligës së Konferencës.
Akoma nuk kam luajtur në kampionatin shqiptar, kjo është ndeshja e dytë, te Skënderbeu ka qenë niveli shumë i lartë. Me grupin që kemi, ky është vetëm fillimi. Na pret një e ardhme e sigurt.
Nuk e caktoj dot sa do luaj futboll, kam kontratë 2-vjeçare. Me drejtuesit jemi marrë vesh shumë mirë. Në momentin që nuk do të jemi të kënaqur, mund të ndahemi si vëllezër. Jam i sigurt me lojtarët që ka Dinamo dhe me Ilir Dajën, na pret një e ardhme e mirë.
Kisha shumë oferta nga Turqia dhe vendet e tjera, dëshira ime ishte të rri afër familjes. Për shkak se Rusia nuk e njeh pasaportën e Kosovës, atje isha vetëm me bashkëshorten që ka pasaportë zvicerane. Mungesa e prindërve ishte e madhe. Kisha ofertë edhe nga Kosova, kur u takova me presidentin, e pashë se dëshira e tij ishte e madhe. Nuk folëm për lekë, ja zgjata dorën. Nuk erdha për lekë këtu, erdha për të punuar me profesor Dajën. Ambicia e presidentit është shumë e madhe.
Do shënojmë shumë. Për mua qëllimi kryesor është të fitojmë ndeshjet. Duhet të luajmë në grup. Besoj se do ia arrijmë qëllimeve si klub”, u shpreh Berisha.