Drita nuk ia doli dot të merrte fitoren sot, në përballjen me Alkmaar. Kjo pasi rivalët e saj e finalizuan lojën me 3 gola. Sfidë kjo e cila ishte e vlefshme për javën e 5-të të Conference League.
Ndërsa pas përfundimit të ndeshjes ka folur edhe trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani. Ky i fundit i bëri një autokritikë paraqitjes së sotme. Ai e nisi me një vlerësim për rivalët duke iu atribuar të gjitha meritat e fitores. Sipas teknikut të skuadrës, holandezët janë një kockë e “fortë” dhe për këtë arsye humbja nuk duhet ta demoralizojë skuadrën. Ndërsa sa i takon rrugëtimit të ekipit ai shprehet besimplotë për sukseset që do e presin ekipin.
“Humbja e parë vjen në ndeshjen e 5-të në fazën e grupeve ndoshta një humbje që ishte pritur më herët të ndodhë por ja që ndodhi në javën e 5-të. Unë mendoj që kundërshtari fitoi me plot meritë, jo e mendoj por jam i bindur se fitoi me plot meritë. Na bllokoi nga të gjitha anët, ndërsa ne nuk arritëm ta bllokojmë, nuk arritëm të mbyllim zonat në 16 metërsh. Na ndëshkoi dhe unë mendoj se duhet të jemi të kënaqur me këtë arritje. Kemi 8 pikë akoma kemi shpresë dhe besoj se jemi shumë afër kualifikimit. Kjo humbje nuk duhet marrë “shumë afër zemrës” pasi mund të quhet humbje normale në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh ccfarë kundërshatri kishim. Duhet të përqendrohemi që nga sot, ne dhe stafi teknik duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës të ditës së dielë, ndërsa ekipi ka dhe një derbi lokal kundër Gjilanit”, është shprehur trajneri, Ramadani.
Sa i takon dy dueleve të ardhshme, Drita ka derbin me Gjilanin të dielën, në orën 13:00. Ndërsa në Conference League në transfertë do të luajë kundër Rayo Vallecano, në orën 21:00.
