
Nga Superiorja janë 3 skuadra që do të marrin pjesë në Conference League. Partizani, Tirana dhe Vllaznia do të nisin aventurën e tyre europiane nga turi i parë i këtij kompeticioni.
Të 3 ekipet e Superiores për fatin e tyre të mirë janë përfshirë në vazon e favoritëve dhe do të kenë mundësi për të shkuar sa më larg në Conference, pasi do të kenë kundërshtarë të lehtë në letër. Në vazon e favoritëve është edhe Shkëndija e Tetovës. Kuqezinjtë kanë një koeficient më të lartë se 3 ekipet e Superiores në këtë kompeticion, pasi paraqitjet e tyre në vitet e fundit kanë qenë mjaft pozitive.
Falë ecurisë fantastike të Ballkanit në kompeticionet europiane, Drita ka fituar të drejtën të shkojë direkt në turin e dytë të Conference League, ndërsa LLapi e nis nga turi i parë i Europa League. Malisheva që merr pjesë për herë të parë në një kompeticion të tillë bën pjesë në vazon e dytë.