
Dinamo do të luajë në “Elbasan Arena” ndeshjen e kthimit me Atletic Escaldes. Përballje që është e vlefshme për raundin e dytë të Conference League dhe që do të zhvillohet ditën e enjte në orën 20:45.
Dueli i parë mes tyre ka përfunduar 2-1 për ekipin e Ilir Dajës , me dinamovitët që do të synojnë fitoren ose barazimin në ndeshjen e dytë për të kaluar në fazën tjetër të këtij turneu.
Pikërisht për këtë përballje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e tyre në Europë, klubi ka nxjerrë në shitje biletat. Drejtuesit kanë vendosur që hyrja për femrat dhe fëmijët të jetë falas, ndërsa çmimet për pjesën tjetër të tifozëve variojnë nga 500 deri në 3000 lekë.
“UEFA Conferece League
Biletat në shitje
Nga pasditja e sotme, mund të siguroni biletat tuaja pranë biletarisë së stadiumit "Selman Stërmasi".
Një biletë në tribunën VIP kushton 3000 Lekë, në tribunat A dhe B një biletë kushton 1000 Lekë, ndërsa në tribunat përballë biletat kushtojnë 500 Lekë.
Për femrat dhe fëmijët, hyrja në stadium do të jetë falas!
Ditën e ndeshjes, biletat mund t'i blini edhe në stadiumin "Elbasan Arena".
#ForcaDinamo”, ka shkruar klubi.