
Dinamo largohet nga Kroacia me humbje, me dinamovitët që u mposhtën në ndeshjen e parë të fazës së 3-të nga Hajduk Split. Këto të fundit triumfuan me përmbysje 2-1 ndaj “Bluve”.
Ilir Daja ka folur pas ndeshjes theksoi se skuadra luajti mirë në pjesën e parë, ku tentuan disa herë portën, por disa gabime në pjesën e dytë bënë që kundërshtari të fitonte terren ndaj tyre. Timonieri i Dinamos “qan” mungesat e Karambas dhe të Itodos. Ky i fundit nuk është më pjesë e Dinamos, pasi do të vazhdojë karrierën në Ukrainë.
“Kemi bërë një pjesë të parë të mirë. Kemi luajtur me intensitet dhe kemi krijuar disa raste në portën kundërshtare.
Ishte një eksperiencë e mirë për ne pas gati 15 vitesh mungesë në Europë, shumë lojtarë luanin për herë të parë në një kompeticion europian.
Bëmë disa gabime në pjesën e dytë, duke ia dhuruar topin kundështarit. Mund të bënim më mirë, me dalje më të thjeshta në krah, pasi ata po bënin presion në qendër. Ndikuan edhe mungesa e Karambës, apo ikja e Itodos.
Mendoj se humbja 2-1 në fushën e Hajdukut, ekip me shumë eksperiencë në Europë, nuk është keq. Janë edhe 90 minuta. Kemi dhe ndeshjen e kthimit në Tiranë, ku mendoj se mund të bëjmë më mirë. E kemi thënë që favorit është Hajduku, por është e hapur gjithçka dhe ne besojmë.
Kemi aktivizuar lojtarë të rinj në moshë, të cilët fitojnë eksperiencë duke luajtur para kaq shumë tifozësh”, përfundoi Daja.