Drita është mposhtur në sfidën e parë në transfertë përballë Legias së Varshavës. Ndeshja e vlefshme për fazën “Play-Off” të Conference League, u mbyll me fitoren 2-0 të polakëve.
Pas kësaj sfide ka folur edhe trajneri i ekipit shqiptar Zekirija Ramadani. Ky i fundit përgëzon lojtarët e tij, duke theksuar se ishte tepër e vështirë për ta duke luajtur me një më pak në fushë për 60 minuta.
“Para së gjithash, dua t’i përgëzoj lojtarët e mi për përpjekjet që kanë bërë në ndeshje, sepse të luash me dhjetë lojtarë për 60 minuta është shumë e vështirë kundër çdo skuadre, veçanërisht ndaj Legias.
Humbëm 2-0, por mendoj se golat e pësuar mund të ishin shmangur. Ne kemi bërë shumë përpjekje në ndeshjen ndaj Varshavës. Ky nuk është një rezultat i keq për ne. Do të bëjmë më të mirën në ndeshjen në shtëpi.
Do të përfitoj nga ky rast për të uruar kundërshtarët e mi për paraqitjen dhe fitoren. Mezi presim të mirëpresim Legian në Prishtinë javën e ardhshme”, u shpreh Ramadani.