Akti i parë në kualifikueset e Champions League mes Petrocub dhe Egnatias është mbyllur në barazim. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Zimbru” të Moldavisë, përfundoi me shifrat 1-1.
Rrogozhinasit e gjetën veten në disavantazh që në sekondën e 40-të, ende pa u mbushur një minutë lojë,, falë gabimit që nisi nga portieri Dajsinani i cili s’u koordinua siç duhet me mbrojtësit e qendrës. Këtu përfiton sulmuesi Popescu që s’fal në topin e parë në zonë dhe ndëshkon rrogozhinasit.
Tentativat e skuadrës së Nevil Dedes nuk mungojnë dhe në të 10-tën minutë vjen aksioni i parë i rrezikshëm përmes një zbritje të shpejtë nga Bakayoko, por sulmuesi nuk e gjen dot kuadratin dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën. Megjithatë, përpjekjet shpaguhen në të 35-tën, kur Altin Kryeziu ndodhet në kohën dhe vendin e duhur, për të rikthyer baraspeshën në 1-1.
Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, kapiteni Aleksi bën ndërhyrje të rrezikshme. Pas rishikimit me sistemin VAR, kryesori anulon të verdhin dhe nxjerr jashtë mbrojtësin me të kuqin e menjëhershëm.
Sa i takon fraksionit të dytë, Egnatia me një lojtar më pak, u vendos shpesh herë në vështirësi nga aksionet dinamike të rivalit moldav, por iu fal një superparaqitjeje të portierit Dajsinani që frenoi kundërshtarin duke mbajtur të gjallë shpresën e kualifikimit.
Takimi i radhës, pra ai i kthimit në Rrogozhinë do të luhet më 15 korrik në orën 21:00, aty ku të besuarit e Nevil Dedes do të bëjnë çmos të dalin me një rezultat që do t’u mundësonte kalimin në fazën tjetër.
Petrocub 1-1 Egnatia (Popescu 1'/ Kryeziu 35')
Champions League: Kualifikuese
Stadiumi: “Zimbru”
Arbitër: Sayat Karabayev (kazak)
FORMACIONET ZYRTARE:
PETROCUB: Avram; Jardan, Bors, Djou, Cucos, Platica, Bogaciuc, David, Puscas, Lupan, Popescu.
Trajner: Shota Makharadze.
EGNATIA: Dajsinani; Sota, Bitri, Xhemajli, Jaime, Kryeziu Aleksi, Medeiros, Yago, Gruda, Bakayoko.
Trajner: Nevil Dede.
NDESHJA
Mbyllet ndeshja, Petrocub 1-1 Egnatia.
90'+1 Egnatia shpëton paq në limite, Dajsinani vigjilent në pritjen vendimtare.
90' Akordohen 4 minuta shtesë deri në përfundimin e takimit.
49' Çfarë pritjesh Dajsinani! Egnatia shpëton sërish nga goli.
47' Rrezikshëm Petrocub, Dajsinani reagon në kohë për të shpëtuar Egnatian nga goli i dytë.
Nis pjesa e dytë.
Mbyllet pjesa e parë, Petrocub 1-1 Egnatia.
45'+1 Kapiteni Aleksi del me kartonin e kuq, arbitri ndëshkon ndërhyrjen e rrezikshme, ndihmuar dhe nga sistemi VAR.
35' GOL Egnatia! Rikthehen ekuilibrat në Moldavi, aksioni "vdekjeprurës" i rrogozhinasve dhe Kryeziu qëllon në vendin e duhur për rezultatin 1-1.
10' Çfarë shansi humbet Bakayoko, nuk përfiton as Gruda për golin e barazimit.
1' Gabim i pafalshëm në prapavijën e Egnatias, Popescu kalon ekipin moldav në epërsi pas 40 sekondash lojë.
1’ Shkelmohet topi i parë në Moldavi, nis Petrocub – Egnatia.
