
Barcelona vuajti jo pak ndaj Interit për të marrë një barazim 3-3 në gjysmëfinalen e Champions League. Një ndeshje spektakolare mes skuadrave për të tentur fitoren, teksa pas 90-të minutash, ekipet u “pajtuan” me barazimin, duke lënë gjithçka të hapur për duelin e kthimit.
Pas kësaj sfide ka folur Hansi Flick. Ky i fundit e pranon që skuadra e tij nuk e nisi mirë sfidën, pasi pësoi gol që në minutën e parë, por nënvizon se në sfidën e kthimit do të bëjnë gjithçka për finalen.
Ndër të tjera foli edhe për Lamine Yamal, ku goli i tij ishte shumë i rëndësishëm për të rihapur sfidën.
“Nuk e nisëm mirë, por më pas u rikthyem. Ky është dueli i parë nga dy, duhet ta fitojmë tjetrin në Milano. Ajo do të jetë një finale para finales.
Jemi në gjysmëfinale të Championsit, ku ka ekipe të mëdha me përvojë. Interi e tregoi këtë sot. Ata kishin epërsi në goditjet standarde me katër apo pesë lojtarë shumë të gjatë.
Lamine tregoi rrugën që duhet ndjekur. Ai gol për 2-1 ishte shumë i rëndësishëm. Bëmë një punë të mirë dhe tani duhet të luftojmë deri në fund”, ka përfunduar gjermani.